Filipçe: Situata me Covid po qetësohet, por kujdesi duhet shtuar

Numri i të hospitalizuarve është ulur, por duhet të mbetemi të kujdesshëm, virusi është i paparashikueshëm dhe tinëzar. Kështu porositi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, pas takimit dhe koordinimit të rregullt me ​​drejtorët e klinikave, qendrave kovid në Shkup.

“Sipas analizave epidemiologjike, faktori RO ka rënë nën 1 dhe shpresojmë të mbetet i tillë. Mbetemi të kujdesshëm, virusi është i paparashikueshëm dhe tinëzar. Ballafaqimi me këtë valë të tretë, e cila është shumë e fortë, është jashtëzakonisht i vështirë, jo vetëm në vendin tonë, por kudo në Evropë”.

Nga Ministria e Shëndetësië kanë njoftuar se nëpër spitalet e vendit momentalisht po mjekohen 1699 pacientë dhe ka edhe 300 krevate të lira për trajtim të pacientëve me koronavirus.

“Gjithsej 686 pacientë po kurohen në repartet infektive të kryeqytetit. Në spitalin në Manastir, janë hospitalizuar 124 pacientë pozitiv dhe të dyshuar me Covid 19. Në spitalin në Shtip, janë hospitalizuar 90 pacientë. Në Klinikën Infektive në Tetovë ka 43 pacientë, në Veles 101, në Kumanovë 100. Në qendrën Covid në Ohër të hospitalizuar janë 110 pacientë, në Prilep 132, në Gostivar 37, në Strugë 22. Në Strumicë, 99 të hospitalizuar, në Koçan 26, në Kërçovë 40, Kavadar 67, Gjevgjeli 22 të hospitalizuar”.

Përndryshe, në vendin tonë po vazhdon procesi i imunizimit, ndaj personave të moshuar dhe të kategorisë së infastrukturës kritike.

Bashkësia fetare Islame doli me deklarim lidhur me vaksinën anti Covid. Kryetari Shaqir Fetahu tha se të gjitha vaksinat kundër Koronës, nuk e prishin agjërimin e agjëruesit edhe nëse merret gjatë ditës së agjërimit të Ramazanit.

“Meqenëse këto vaksina nuk depërtojnë në organizmin e njeriut përmes rrugëve natyrore të konsumimin të ushqimit dhe pijeve por depërtojnë përmes gjilpërës dijetarët mysliman duke u mbështetur në argumentet autentike konstatuan se vaksinimi kundër koronës nuk e prish agjërimin. Kjo përforcohet gjithashtu nga fakti se vaksina nuk ka as trajtim ushqyes e as vitaminoz, nuk arrin as në fytin e as në lukthin e njeriut, prandaj edhe nuk e prish agjërimin”.

Mirëpo, nga BFI sqarojnë nëse besimtarit mysliman gjatë agjërimit i paraqiten komplikime apo efekte anësore për shkak të vaksinimit apo për ndonjë shkak tjetër, atëherë është i detyruar të veprojë sipas udhëzimeve të mjekëve, e nëse prishet agjërimi me përdorimin e ndonjë medikamenti tjetër, atëherë këtë ditë të agjërimit e kompenson me një ditë tjetër pas Ramazanit. Sipas shifrave të publikuara një ditë më parë, në vendin tonë, deri tani janë vaksinuar vetëm 0.7% e popullsisë.

/Ts.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *