HOTI KËRKON REAGIM NGA NATO PËR KËRCËNIMET E VUÇIQIT

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kërcënoi me destabilizim në Ballkan, njofton Insajderi.

Lidhur me kërcënimet e Vuçiq, që tha se konfliktet nuk mund të qëndrojnë gjithmonë të ngrira duke aluduar për tensione me Kosovën, Hoti thotë se këto deklarata nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke.

Kështu është shprehur ai me anë të një postimi në Facebook, ku tutje tha se ato se çfarë tha Vuçiq janë në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

“Deklarimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Ato janë në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”.

Hoti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO që të reagojë ndaj këtyre provokimeve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin për anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në NATO, Bashkimin Evropian dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, si një vlerë e shtuar për zhvillimin e demokracisë dhe paqes në botë”, shkruan tutje Hoti. 

/Insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *