Komuna e Gostivarit përkujton Dëshmorët e Flamurit

Komuna e Gostivarit përkujtoi sot Dëshmorët e Flamurit, të cilët
më 9 korrik të vitit 1997 dhanë jetën e tyre, për avancimin e të
drejtave shqiptare dhe për flamurin kombëtar, Nazmi Saliu nga fshati
Turçan i Vogël, dr.Shpend Iseini nga fshati Forinë dhe Milaim Dauti
nga fshati Dobërdoll. Homazhe mbi varret dhe përmendoret e
dëshmorëve, bëri një delegacion nga Komuna e Gostivarit nën
udhëheqje të kryetarit Arben Taravari, i shoqëruar nga Valbon
Limani shef i kabinetit, Nazmi Jusufi – sekretar i komunës, Jasin
Demiri – shefi i protokollit, Aslian Snopçe – udhëheqëse e Sektorit
për veprimtari publike dhe Afërdita Hamzai – anëtare e kabinetit
të kryetarit Taravari.

“9 Korriku i vitit 1997, ishte një nga ngjarjet më domethënëse në
mbrojte të kauzës kombëtare, që tronditi botën shqiptare dhe që
ndryshoi njëherë e përgjithmonë sjelljen me shqiptarët në
Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi titanik u desh të merrte jetët e tre
dëshmorëve të flamurit, Nazmi Saliut, Dr. Shpend Iseinit dhe Milaim
Dautit. Tre jetë të cilat janë shkruar përjetësisht në
historinë e të gjithë popullit shqiptarë. Ndërkaq, Gjykata
Themelore e Gostivarit, e ndikuar nga politika ditore, u shqiptoi
dënime drakonike krerëve komunalë të asaj kohe: Kryetari Rufi
Osmani u dënua me 13,8 vite burg dhe Kryesuesi i Këshillit Refik
Dauti, me 7 vite burg. Meritat për valëvitjen zyrtare të flamurit
kombëtar shqiptar para Komunës së Gostivarit sot, si edhe në vitin
1997, u takojnë dëshmorëve të flamurit, të cilëve u jemi
mirënjohës që na dhanë të drejtën historike që të shpalosim
flamurin e atyre që na lindën dhe që na dhanë jetë e emër.
Qoftë i nderuar emri i tyre ndër shekuj! Le te jetë kujtesa
historike dhe institucionale e përjetshme për dëshmorët e
flamurit! Është detyrë e çdo insitucioni të mbrojë kujtimin e
tyre dhe t’a përçojë veprën e tyre si një akt lirie dhe dëshire
për jetë! Dëshmorët e Kombit Nuk Vdesin kurrë, derisa ai Komb
është gjallë dhe shqiptarët nuk do vdesin kurrë!”, deklaroi
kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravri.

Rikujtojmë se 9 Korriku i vitit 1997, ishte një nga ndodhitë më
domethënëse në mbrojte të kauzës kombëtare që tronditi botën
shqiptare dhe që u parapriu shumë kthesave dramatike në Maqedoni
dhe më gjerë në hapësirën shqiptare. Meritat për valëvitjen
zyrtare të flamurit kombëtar shqiptarë para komunës së Gostivarit
sot si edhe në vitin 1997 u takojnë dëshmorëve të flamurit
kombëtar.

/TS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *