KRSKRR: Vozitni me kujdes! Po vjen periudha me temperatura të ulëta, shi, borë, acar dhe rrugë të lagështa – Përgatiteni automjetin për të vozitur në kushtet e dimrit!

Periudha e vjeshtës karakterizohet me rënie të temperaturave dhe rritje të rreziqeve në komunikacion
që shoferët duhet t’i kenë parasysh. Rreziqet kryesore për komunikacionin në vjeshtë janë: moti i zymtë,
reshjet e dendura, ngricat e para, gjethet e njomura që bien në rrugë, dallimet e mëdha të
temperaturës, si dhe rritja e pjesëmarrjes së mekanizimit bujqësor që e ngadalëson komunikacionin.
Përgatiteni automjetin tuaj për të vozitur në kushtet e vjeshtës dhe dimrit. Është obligim i shoferëve të
përshtaten me kushtet e rrugës dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.
Kushtet e motit ndikojnë në rrjedhën e sigurt të komunikacionit rrugor dhe për këtë arsye Këshilli
Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) u bën thirrje pjesëmarrësve në komunikacion
që të jenë të kujdesshëm, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për të vozitur automjetin në mënyrë të sigurt
në kushtet e rrugëve të lagështa dhe temperaturave të ulëta në vjeshtë dhe dimër.
KRSKRR-ja përkujton:
• ULENI SHPEJTËSINË. Në kushtet e temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dendura të shiut apo borës
pritet të ketë acar në rrugë, rrugë të lagështa dhe të rrëshqitshme, sidomos nëse udhëtoni në orët e
hershme të mëngjesit apo në orët e vonshme të mbrëmjes. Ndaj kini kujdes, përshtateni shpejtësinë
sipas kushteve të rrugës dhe mbani mend se gjëja më e rëndësishme është të mbërrini të gjallë, të
shëndetshëm dhe të sigurt në destinacionin e dëshiruar.
• MBANI DISTANCË TË SIGURT. Kushtet e këqija të motit dhe kushtet e papërshtatshme të rrugës
ndikojnë në distancën e frenimit të automjetit. Prandaj, mbani distancë të sigurt dhe kushtojini
vëmendje sjelljes së pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
• JINI TË PARASHIKUESHËM. Për rrjedhën e sigurt të komunikacionit me shi, rrugë të lagështa dhe të
ngrira, është veçanërisht e rëndësishme që veprimet tuaja në komunikacion të jenë të njoftuara, të
pritshme dhe të parashikueshme. Prandaj, përdorni rregullisht sinjalet vezulluese dhe shmangni
veprimet e papritura, të tilla si kthesa e shpejtë, ndalimi i papritur, ngadalësimi ose përshpejtimi i
automjetit.
• VOZITNI ME KUJDES NË KUSHTET ME MJEGULL. Gjithnjë kur vozitni nëpër mjegull, fillimisht uleni
shpejtësinë dhe ndizni dritat e mesme dhe dritat e mjegullës (nëse keni drita të tilla). Respektoni
kufizimet e shpejtësisë dhe mos parakaloni automjetet e tjera derisa fusha juaj e shikimit të jetë e qartë
dhe parakalimi juaj të jetë i sigurt.

• BËNI KONTROLLIM TEKNIK TË AUTOMJETIT. Në kushtet e vjeshtës në rrugë, është veçanërisht e
rëndësishme të vozitni automjet të rregulluar teknikisht. Përvojat tregojnë se në temperatura të ulëta
dhe rrugë të lagështa dhe të rrëshqitshme, të gjitha defektet e automjetit dalin në shesh. Për sigurinë
tuaj, për mbërritjen e sigurt dhe të qetë në destinacionin e dëshiruar, bëni kontrollim të rregullt dimëror
të automjetit me theks të veçantë në kontrollimin e sistemit të vozitjes, sistemit të frenimit, gomave,
elektronikës, etj.
KRSKRR-ja rikujton edhe një herë se siguria në komunikacion varet nga secili prej nesh. Nëse të gjithë
jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në komunikacion dhe i respektojmë rregullat e
komunikacionit, atëherë numri i aksidenteve në komunikacion dhe numri i personave të vdekur dhe
të lënduar në aksidente komunikacioni do të zvogëlohet ndjeshëm.

Ts.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *