Mbyllet edhe një kompani tekstili në Shtip, gjithsej shtatë konfeksione

Një tjetër konfeksion i tekstilit u mbyll në Shtip ku shtesë u konfirmua një test pozitiv te një punëtor, publikoi sot Kryetari i Komunës së Shtipit, Bllagoj Boçvarski pas seancës së Shtabit Komunal të Krizave, ku morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe koordinatori në nivel kombëtar, Bujar Osmani.

Kështu, në Shtip janë mbyllur gjithsej shtatë konfeksione, ndërsa konfeksioni që tani është mbyllur ka 250 punonjës dhe të gjithë atyre do t’u merren strisho.

“Punonjësit në gjashtë konfeksionet duhet të qëndrojnë në shtëpi në vetizolim për t’i respektuar masat dhe për ta mbrojtur veten dhe shëndetin e qytetarëve. Tregu i qytetit do të jetë pjesërisht i hapur për punë më 5 qershor, vetëm me produkte ushqimore”, tha Boçvarski.

Zëvendëskryeministri Osmani kumtoi se është e nevojshme të vendosen të ashtuquajtur KOVID koordinatorë në kompanitë, por edhe në institucionet shtetërore, të cilët do të kenë autorizime direkte për ta monitoruar zbatimin e masave dhe rekomandimeve. Me këtë, sipas Osmanit, kjo ndjeshëm do t’i mbrojë edhe punonjësit, edhe kompanitë.

“Është e qarte që kemi një rikthim të sëmundjes. Kemi një rikthim të kulmit të epidemisë, e cila sot konfirmohet edhe në nivel shtetëror, edhe në Shtip. Është koha për të krijuar një pozicion të ri në të gjitha institucionet që kanë më shumë të punësuar, pavarësisht nëse janë institucione private apo publike. Këta janë Kovid koordinatorë. Meqenëse është e qartë se kjo sëmundje do të zgjasë dhe për t’i mbrojtur punonjësit, por edhe kompanitë nga mbyllja, më e dobishmja për të gjithë është nëse secila kompani dhe institucion shtetëror emëron koordinator KOVID, puna e vetme e të cilit do të jetë t’i kushtojë vëmendje respektimit të protokolleve”, theksoi Osmani.

Në Shtip, mbi 300 qytetarë janë vendosur në izolim, ndërsa gjithsej 16 pacientë me pasqyrë klinike të mesme janë duke u mjekuar në Repartin e Sëmundjeve Infektive.

/TS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *