“Pjetër Bogdani” do t’i prezantojë në Leipzig botimet e Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” edhe këtë vit, ashtu si në vitin e kaluar, do të marrë pjesë në Panairin e Librit në Leipzig të Gjermanisë. Pjesëmarrjen e saj do ta mbështesë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Për një përfaqësim sa më gjithëpërfshirës dhe të denjë, Biblioteka Kombëtare u ka shkruar një letër të gjithë botuesve të Kosovës, nga të cilët ka kërkuar propozim të titujve të përzgjedhur të botimeve të tyre, sipas kritereve të mëposhtme:

“Botime të Kosovës në gjuhën shqipe të viteve 2018-2020, deri në 3 tituj nga 3 kopje;

Botime të Kosovës të përkthyera nga gjuhë të huaja në gjuhën shqipe, të viteve 2010-2020, deri në 5 tituj nga 3 kopje;

Botime të Kosovës në gjuhë të tjera, të viteve 2010-2020, deri në 5 tituj nga 3 kopje.

Të gjitha veprat që do të propozohen nga ju do të ekspozohen në stendën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig si dhe do të ofrohen për shitje sipas çmimit që do t’ua vënë botuesit. Mjetet financiare nga shitja e veprave do t’i dorëzohen botuesit pas përfundimit të panairit, ndërsa veprat që mbesin të pashitura do t’u kthehen botuesve”, është thënë në letrën e Bibliotekës Kombëtare dërguar botuesve.

Po ashtu, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se është duke përgatitur një katalog, i cili do t’i përfshijë të dhënat e botuesve dhe të botimeve të përzgjedhura nga botuesit për pjesëmarrje në Panairin e Librit në Leipzig. “Qëllimi i këtij katalogu është krijimi i mundësisë së bashkëpunimit ndërmjet botuesve të Kosovës me botues ndërkombëtarë, sidomos në fushën e përkthimeve”, është thënë në letrën e Bibliotekës Kombëtare, e cila, ndër të tjera, ka kërkuar që të plotësohet formulari me të dhënat e titujve të librave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilin pastaj botuesit duhet t’ia dërgojnë së njëjtës në formë elektronike deri më 04.03.2020 në e-mail adresën: info.bkk@rks-gov.net. Ndërkaq, titujt që botuesit i raportojnë në formularin për ekspozim në Panairin e Librit në Leipzig duhet të dorëzohen në formë fizike deri më 04.03.2020 në Zyrën e Pranimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ky lajm e ka gëzuar drejtorin e shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj, i cili, në një koment në profilin e vet në “Facebook”, ka shkruar:

“Një punë që s’e ka bërë kurrë Shoqata e Botuesve e Kosovës, e cila, sipas një artikulli të sotëm në gazetë, kish mbetur vetëm me pesë botues, e që e ka pasur obligim edhe sipas statutit të vet ta bëjë që prej themelimit, nga viti i kaluar pak e nga ky vit shumë e pa inate personale me askënd, po e bëka Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’! U sa mirë! Lajm i jashtëzakonshëm. I mrekullueshëm. Më në fund, paska menduar diçka mbarë Fazli Gajraku. Ministrja Dumoshi dhe ish-ministri Gashi.

Po a ka lajm më të mirë kulturor se ky në Kosovë?

Që prej janarit, jo, qe besa, asnjë! Ndash matni me peshore manuale, ndash me digjitale. Ndash me mendje të kulluar, ndash me mendje të brishtë si ky muaji shkurt!

Ku ka më mirë sesa një institucion kombëtar, në të cilën bëhet katalogim libri, në të cilin arkivohen libra e mblidhet kujtesa kolektive, t’i prezantojë të gjitha botimet e Kosovës në dy vjetët e fundit dhe përkthimet e huaja që janë botuar në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit?!

Kjo është mrekulli bre! Kjo do të thotë që 150 tituj të shtëpisë botuese “Armagedoni”, rreth 600 ekzemplarë të librave e rreth 100 autorë do të paraqiten në Gjermani, në Panairin e Librit në Leipzing, përkrah autorëve të vendeve më kulturore të botës. Do të mund të shiten libra dhe të nënshkruhen kontrata për përkthime dhe botime librash. Nga ky vit letërsia shqipe do të mund të depërtojë si koronavirusi në gjithë botën! Po e them pa tallje, vetëm sa për krahasim e shpejtësi të shpërndarjes së kulturës sonë në kulturat e huaja.

Çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të bëhet?

U ka shkruar sot Biblioteka Kombëtare letër botuesve dhe u ka kërkuar nga tre ekzemplarë të librave të autorëve vendorë dhe nga pesë ekzemplarë të librave të përkthyer nga gjuhët e huaja, për t’i prezantuar në Panairin e Librit në Leipzig që do të mbahet sivjet.

Do t’ia dërgoj, patjetër, nga dy e nga pesë ekzemplarë, pavarësisht kush shkon në atë panair libri nga biblioteka e nga ministria!

Kjo është punë e mirë! Më e mira punë për letërsinë shqipe bërë nga Biblioteka Kombëtare dhe nga Ministria e Kulturës!

Pritna botë se po vijmë me një vagon libra e kryevepra!”

Raporton gazeta “Epoka e re”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *