POEZI NGA SHARL BODLER

Sharl Bodler është shkrimtar francez, i konsideruar si i fundmi i romantikeve dhe i pari i moderneve, Sharl Bodler, mbahet si më i madhi ndër poetët francezë. Pothuajse i injoruar nga bashkëkohesit, i dënuar, i dërmuar nga jeta, alkoli dhe droga, ai pat një fund jetë të përdellyer duke vdekur në moshen 46 vjeç, i paralizuar dhe me gojën të humbur. Në të gjallë, ai nuk pat botuar veç një përmbledhje poezish. Atë me titull “Les Fleurs du Mal” (Lulet e së Keqes). Akademiku francez, Jean d’Ormesson ka thënë për të:” Bodler nuk ishte vetëm poeti i epshit dhe voluptetit, i ankthit, trullosjes dhe vdekjes. Ai ishte gjithashtu kritik me një inteligjence të mrekullueshme. Në një epokë kur gjenia e Wagner -it ishte e panjohur, ai e zbuloi dhe lavdëroi veprën e tij. Po ashtu, ishte ai që adhuroi e mbrojti disa piktore të cilëve u përkiste e ardhmja, të tille si : Delacroix, Courbet, Manet dhe Cézanne”. Me veprën e tij, Charles Baudelaire krijoi principet bazë të poezisë moderne, simbolizmit e surealizmit. Gjatë jetës dhe pasionit të tij për të Bukuren, ai ishte vazhdimisht i ndarë në dysh, mes ekstazës dhe tmerrit të jetës dhe të vetë ekzistencës njerëzore./Insajderi.com

BALLKONI

Ndjell’se kujtimesh, mbi gjith’ dashnorët e dashur,
Për ty të gjitha dhelet, tek ti perkushtimin!
A të kujtohet vallë prekja e përmallur,
Embëlsia e mbrëmjeve kur prisnim agimin
Ndjell’se kujtimesh, mbi gjith’ dashnorët e dashur!

Netët e ndriçuara nga të kuqtë thëngjij,
Muzgjet në ballkon, me një t’argjendtë tis,
Zemrat në një rrahje, tek unë të butët gjij,
Të pavdekshmet fjalë në vesh të çuçuris
Net’ve të ndriçuara nga të kuqtë thëngjij.

Sa të bukur diejt në ato perëndime!
Qeniet njësh të bëra me t’pafundmen botë!
Sikur i përpija të shpirtit kundërmime
Kur mbi ty përkulesha o yll magjiplotë.
Sa të bukur diejt në ato perëndime!

Terr i natës rritej si një gardh i dendur
Flakën e syve të tu ndienja n’errësirë,
Në buzë pija pezmin,nektarin e mbledhur,
Kofshët e tua të ngrohta me duar perfshirë,
Terr’ i natës rritej si një gardh i dendur.

Une kam mësuar t’ju jap jet’ kujtimeve
Çasteve kur ballin mbaja në prehrin tënd.
Po ku ta kërkoj ëmbëlsin’ e hireve
Përpos se tek ti, ku, në c’tjetër vend?
Unë kam mësuar t’ju jap jet’ kujtimeve.

Ato tinguj, oh ç’afshe, ato puthje pareshtje,
A do mund t’i shoh e ti ndjej përsëri
Të dalin nga shpirti, si nga e detit heshtje
Ata diej të zjarrtë që ngjiten n’ajri?
O ç’ tinguj! O ç’afshe! O ç’puthje pareshtje!

HIMNI I BUKURISE

Bie prej qiellit a ngrihesh prej humnerës së thellë,
O Bukuri! Shikimi yt hyjnor dhe i djallëzuar,

Krimin me mirësinë ngatërruar, përherë na e ndjell,
Duke i ngjarë aq shumë shijes së verës së bekuar.

Sytë e tu strehojnë çdo perëndim dhe aurorë;
E si një natë e stuhishme parfume shpërndajnë;
Pthjet e tua janë melhem, goja jote një amforë,
Që i bën trima vogëlushët e heronjtë të qajnë.

Gurgullon honeve të zi a yjeve të zjarrtë digjesh?
Fati i magjepsur të ngjitet pas fundeve si një qen;
Ti gjithcka në botë sundon e askujt s’i përgjigjesh,
E kudo, rastësisht, gjëmën dhe harenë shpërthen.

Bukuri, ti marshon mes kufomave që ke përçmuar;
Nga xhevahirët e tu, Tmerri nuk ka më pak magji,
E Krimi, mes gjithë stringëllave të tua më i çmuar,
Mbi barkun tënd, krenarisht vallëzon plot dashuri.

Flutura e natës e verbuar pas teje, të vjen afër, qiri,
Fërfëllin, ndizet e thotë: I bekuar qofsh pishtar!
I dashuruari ethshëm përkulet mbi të dashurën e tij,
Si ai i plagosuri për vdekje përkëdhel të tijin varr.

S’ka rëndësi nëse Parajsën apo Ferrin ke për nënë,
O Bukuri! Mostër e frikshme, e paanë, e lindur e lirë!
Vallë buzëqeshja jote, syri yt, këmba, hapur ma lënë
Portën, për atë pafundësi kurrë të njohur aq mirë?

S’ka rëndësi je Djall apo Zot! Ëngjëll a Sirenë të jesh,
S’ka rëndësi nëse zanë me sy kadife që xixëllojnë butë,
O parfum, ritëm, kthjelltësi, o e vetmja ime mbretëreshë!
Bën universin më pak të shpifur, më pak të rëndë çdo minut’.

ALBATROSI

Marinarët shpeshherë sa per shaka

gjuajne albatrosa, këto shpezë të mëdha,

bashkudhëtarë të plogshtë që fluturojnë mbi det

mbi anijen qe siper greminave të njelmta shket>

Porsa ti vendosin në dërrasa, të mundur

këta mbretër të kaltrisë të ngathët e të përunjur,

të ndjellin mëshire me ata krahë mbërthyer,

të mëdhenj e të bardhë si rrema të thyer.

Ky udhëtar krahëgjate, sa i pagjallëri!

i bukur ka qenë, tani gaz i botes shëmti!

njëri ia ngacmon sqepin me cibuk,

tjetri e imiton, e përqesh, e c’nuk!

Poeti i ngjan këtij princi të reve,

se tremb dot stuhia as qitësi i shpezëve!

syrgjyn ne tokë, në bisht te shpotise ngeci

krahët e tij viganë e pengojnë të eci.

/Insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *