PUTIN TREGON SE RUSIA E KA REGJISTRUAR VAKSINËN KUNDËR COVID’19 – “ËSHTË VAKSINUAR EDHE VAJZA IME, TASH ËSHTË MIRË”

Rusia e ka aprovuar një vaksinë për Coronavirus e zhvilluar në Gamaleya, institutin me bazë në Moskë, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin, në televizionin shtetëror të Rusisë të martën, njofton Insajderi.

Duke folur në një telekonferencë drejtpërdrejt para qytetarëve bashkë ministrat e kabinetit të tij, Putin tha se vaksina ka kaluar nëpër të gjitha testimet e nevojshme.

“Një vaksinë kundër Coronavirusit është regjistruar për herë të parë në botë këtë mëngjes”, tha Putin, duke shtuar: “E di se punon efektivisht, formon një imunitet stabil”.

“Pra, ne jemi të parët që e kemi regjistruar. Shpresoj se edhe puna e kolegëve tanë ndërkombëtarë do të eci mirë po ashtu, dhe shumë produkte do të shfaqen në tregun ndërkombëtar që mund të përdoren”, deklaroi Putin.

Presidenti rus tha se edhe një nga vajzat e tij e ka përdorur vaksinën. Sipas Putin ajo kishte temperaturë deri diku të lartë pas vaksinimit, por tani ndjehet mirë.

“E di si funksionon, sepse një nga vajzat e mia e ka përdorur vaksinën”, pohoi Putin.

“Mendoj se në këtë mënyrë ajo mori pjesë në eksperiment. Pas vaksinimit të parë temperaturën e kishte 38 gradë, ditën tjetër 37 e diçka dhe me kaq u mbyll. Edhe pas vaksinimit të dytë, temperatura shkoi më lartë, por kaq, pastaj ra prapë. Tani ajo ndjehet mirë”.

Megjithatë Rusia nuk ka lëshuar kurrfarë të dhënash shkencore për vaksinën çka e bën të pamundur të provohet efektiviteti i saj dhe siguria gjithashtu.

/insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *