SPANJË – 932 VIKTIMA NGA KORONAVIRUSI NË 24 ORËT E FUNDIT

932 persona kanë humbur jetën në Spanjë nga koronavirusi në 24 orët e fundit, duke e çuar në 10935 numrin total të viktimave. Një ditë më parë, numri i viktimave ishte 950.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve me koronavirus në vend është rritur në 117710. Numri i të shëruarve ka shkuar në 30513, ndërsa thuajse 6500 persona mbeten ende në terapi intensive në të gjithë spitalet e vendit.

Situata mbetet e rëndë edhe në Francë, ku autoritetet raportuan bilancin më tragjik që prej shpërthimit të pandemisë. Më shumë se 1300 pacientë humbën jetën në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në mbi 5300 viktima. Të infektuarit me Covid-19 në Francë janë rreth 60 mijë.

Gjermania synon të nxisë vullnetarët për të ndihmuar personelin mjekësor duke rritur benefitet monetare për punonjësit sezonalë. Qeveria e kancelares Angela Merkel zgjati masat kufizuese për distancimin social deri në fund të pushimeve për Pashkë, në 19 prill. Gjermania raporton një numër të lartë të prekurish, me mbi 84 mijë të tillë, por numri i viktimave është relativisht i ulët krahasuar me vendete tjera, mbi 1100 persona kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Britaninë e Madhe, vend i cili raporton më shumë se 3 mijë viktima dhe mbi 33 mijë të infektuar me koronavirus në total. Londra mbetet më e prekura.

/Insajderi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *