SVEÇLA PARALAJMËRON NDËSHKIME PËR ATA QË NDEZIN ZJARRE: TASHMË JANË ARRESTUAR DY PERSONA

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe “në asnjë rast dhe rrethanë të mos ndezin zjarre”, përndryshe siç ka thënë ai, do të jenë të pa-kompromis.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se kanë hasur raste të zjarrvënies së qëllimshme nga disa qytetarë, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, përcjell Insajderi.

Ndërsa, Sveçla ka bërë të ditur se po vazhdon hetimi edhe për raste tjera të dyshimta.

“Që nga e premtja zjarret kanë kapluar disa lokacione në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme ka aktivizuar menjëherë Qendrën Operative e cila aktualisht është duke koordinuar të gjitha veprimet e ekipeve reaguese në terren”.

“Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i janë duke punuar me kapacitete të plota për të shuar vatrat e zjarrit, duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione”, ka shkruar ndër të tjera ministri.

Gjatë së hënës, Sveçla ka njoftuar se ka pasur vatra aktive të zjarrit në këto komuna:

Suharekë: Bukosh, Krushicë, Gjinovc, Reqan, Shirokë, Dubravë dhe Vraniq

Gjakovës: Nec dhe Babaj të Bokës

Prizren: bjeshkët e Oshllakut

Pejë: Shtupeq

Malishevë: Kravasari

Artanë: Parallovë

Mitrovicë e Veriut: Kushtovë e Vllahisë

Zveqan: Rudinë

Zubin Potok:Bube

Fushë Kosovë: Kozmin

Ndryshe, në disa lokacione në Suharekë zjarri ka shpërthyer tash e disa ditë. Ndaj, të martën Kryeministri Albin Kurti ka vizituar këtë komunë për t’u njoftuar nga afër lidhur me gjendjen e krijuar. Ai është pritur në takim nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

/Insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *