Takim miqësie për konfirmimin e bashkëpunimit me Bursën

Kryetari i OH El Hilal, Behixhudin Shehapi gjatë kësaj fundjave realizoi një takim me deputetin e Partisë AK nga qyteti i Bursës, z. Refik Ozen, i cili e nderoi organizatën me një vizitë bashkë me afaristin dhe veprimtarin nga qyteti mik, Shaban Jillmaz. 

Takimi u realizua në zyrat e degës së Tetovës ku ishin prezent edhe kryetari i kësaj dege, Ardit Kamberi, anëtari i Këshillit drejtues qendror, Shinasi Karaxhenemi dhe anëtari i Kuvendit të El Hilalit, Iljaz Mazllami. 

Në këtë takim mori pjesë edhe prof. Sylejman Baki, kryetar i shoqatës simotër Ensar nga Shkupi, i cili i shoqëronte mysafirët nga Turqia. 

Duke marrë parasysh se El Hilali për një kohë të gjatë zhvillon aktivitete me partneritet me Bursën dhe se ky qytet ka qenë dhe mbetet një prej mbështetësve më të rëndësishëm të projekteve programore të El Hilalit, gjatë këtij takimi miqësor edhe një herë u konfirmua gatishmëria për bashkëpunim nga të dy palët që do të kontribuojnë për mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë por gjithashtu edhe për përforcimin e marrëdhënieve me bashkatdhetarët nga Bursa, të cilët në një numër të madh jetojnë në këtë qytet. 

Deputeti Ozen, i cili është me prejardhje nga Kosova, shprehi dëshirë për një angazhim më të madh për intensifikimin e këtij bashkëpunimi pas pandemisë.

/TS.MK

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *