VAZHDON KRIZA E EMIGRANTËVE NË KUFIRIN MES GREQI – TURQI

Ndërsa numri i emigrantëve në kufirin Turqi-Greqi vazhdon të rritet, bisedimet urgjente të së hënës midis Ankarasë dhe Brukselit dhanë pak shenja përparimi.

Javën që shkoi, Presidenti i Turqisë inkurajoi emigrantët të dynden në kufirin grek, duke akuzuar Bashkimit Evropian se nuk i ka mbajtur premtimet e vitit 2016 për krizën e refugjatëve. Turqia strehon rreth katër milion emigrantë, shumica prej tyre nga Siria. Por kritikët thonë se Turqia po përdor emigrantët për të shantazhuar Evropën.

Sipas qeverisë greke, në këto pamje shihet një patrullë e Turqisë ndërsa me ndihmën e një grupi emigrantësh mundohej të rrëzojë një gardh kufitar.

Filmimet që ende nuk janë verifikuar, nuk janë komentuar nga Turqia.

Ndërsa këto pamje tjera janë siguruar nga rojet kufitare turke, të cilat thuhet se tregojnë një ushtar grek duke qëlluar disa emigrantë që po mundoheshin të rrëzonin gardhin.

As këto pamje nuk janë verifikuar.

Greqia mohoi akuzat se përdori municion të vërtetë kundër emigrantëve.

Përkundër situatës së krijuar presidenti turk mbërriti në Bruksel të hënën në mbrëmje, për bisedime urgjente pas të cilave u dhanë pak sinjale zgjidhjeje.

“Gjithçka lidhet me deklaratën BE-Turqi të vitit 2016, e cila vazhdon të jetë e vlefshme. Sot diskutuam zbatimin e pjesëve që mungojnë, që t’i riformulojmë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Marrëveshja e vitit 2016 parasheh që Evropa t’i japi Turqisë 6 miliardë euro dhe zotimin që turqit të udhëtojnë lehtësisht në BE, në këmbim të pajtimit të Ankarasë kontrollojë hyrjet e emigrantëve. Turqia beson se Evropa nuk përmbushi pjesën e saj të marrëveshjes.

“Liberalizimi i vizave nuk ndodhi asnjëherë. Dhe kjo vazhdoi kështu për vitet e fundit. Prandaj ky është momenti kur zoti Erdogan bëri një vijë në rërë dhe tha se nuk do të ndalojë më refugjatët për aq sa nuk përmbushen kushtet”, tha Natalie Martin nga Universiteti i Notingemit.

BE thotë se Turqia nuk ka përmbushur kushtet për liberalizim vizash, në veçanti mbi të drejtat e njeriut.

Në realitet Brukseli është i prirë të bëjë marrëveshje, thonë disa ekspertë.

“Nëse Evropa bën lëvizjen e duhur për liberalizim vizash dhe ofron më shumë para, marrëveshja mund të ndodhë. Pra marrëveshja e 2016-ës ka vdekur por mund të ringjallet”, thotë zonja Martin e Universitetit të Notingemit.

Ndërkohë që emigrantët, përfshirë edhe mijëra fëmijë, jetojnë në mjerim të bllokuar në kufi, udhëheqësit e Turqisë po e ashpërsojnë gjuhën.

“A nuk janë gratë dhe fëmijët ata që vuajnë më së shumti nga refugjatët që po qëndrojnë në kufi me shpresën që të shkojnë në Evropë? Çfarë po bën perëndimi? A po thyhet zemra e perëndimit nga kjo? Jo. A po e ngrijnë zërin? Jo.”, tha presidenti Erdogan.

Rreziku i përhapjes së koronavirusit e ndërlikon edhe më shumë situatën. Një grup i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara po viziton kufirin grek që të këshillojë emigrantët për higjienën dhe se si të ruhen nga infektimi.

/voa/insajderi/com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *