Vendet më të mira për të punuar dhe për të bërë biznes, Zvicra në top-3

(KEYSTONE/Laurent Gillieron)

Ndërkohë që vendet e mëdha luftojnë për dominimin ekonomik, kombet më të vogla mund të jenë në të vërtetë vende më efektive për njerëzit për të punuar dhe për të bërë biznes, sipas një raporti të ri .

SHBA dhe Kina kanë shënuar një rënie të fortë në 2020 World Competitive Ranking (klasifikimi botëror për konkurrueshmërinë) nga Institute for Management Development (IMD) pasi tensionet e vazhdueshme tregtare vijojnë të peshojnë në pozicionin e tyre ndërkombëtar, duke ua lënë vendin ekonomive më të vogla.

Singapori ruan vendin e parë për të dytin vit me radhë, ndërsa Danimarka është ngjitur me 6 pozicione, në vendin e 2-të. Top 5 vijon me Zvicrën (3), Holandën (4) dhe Hong-Kongun (5), në rënie me tre pozicione nga viti 2019. SHBA (10) dhe Kina (20), kanë zbritur përkatësisht me shtatë dhe gjashtë pozicione.

Raporti i përvitshëm i rendit vendet në bazë të katër kritereve kyç: ecuria e ekonomisë; eficenca e qeverisë; eficenca e biznesit; dhe infrastruktura. Ndërthurja e të dhënave lokale dhe ndërkombëtare, si dhe një sondazh te 5866 drejtues, i rendit më pas 63 vende mbi bazën e këtyre kritereve, për të përcaktuar vendin më të mirë për të bërë biznes dhe vendet që kanë më shumë gjasa të kultivojnë prosperitetin, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse kërkimi është kryer para se të shpërthente pandemia e koronavirusit, IMD tha se suksesi relativ i pesë vendeve të para në përmbajtjen e virusit nxori në pah përshtatjen e këtyre qeverive dhe transparencën e tyre në politikëbërje, transmeton Monitor.

Lëvizjet më të mëdha në 2020

Sipas raportit, Singapori, e ka ruajtur vendin e parë falë ecurisë së qëndrueshme ekonomike, lidhjeve të forta tregtare dhe shkallës së lartë të punësimit. Edhe sistemi i avancuar arsimor dhe infrastrukturat teknologjike kanë luajtur rolin e tyre pozitiv.

Përveç ekonomisë së fortë, Danimarka vlerësohet mirë edhe për tregun e punës, si dhe sistemin shëndetësor dhe arsimor, ndërsa Zvicra spikati në mënyrë mbresëlënëse për infrastrukturën shkencore, vuri në dukje studimi,

Vende me ecuri të mirë këtë vit ishin Tajvani, Kina (11), Finlanda (13) dhe Austria (16), të gjithë në ngjitje krahasuar me vitin e kaluar.

Mbretëria e Bashkuar është ngjitur me katër pozicione (19). Sipas IMD, ky mund të jetë një tregues se Brexit ka krijuar perceptimin e një mjedisi më miqësor për të bërë biznes. Kanadaja renditet në vendin e 8 (vendi i 13 vitin e kaluar).

Gjermania (17), Australia (18), Spanja (36) dhe India (43) mbeten të qëndrueshme me bazë vjetore.

Ekonomitë e vendeve të Azi-Paqësorit ishin më të dobëta se zakonisht, me zbritje krahasuar me vitin e kaluar; duke përfshirë një rënie me 4 pozicione të Japonisë (34) dhe Indonezisë me 8 pozicione (40). India ka mbetur në vendin e 43-të.

Ekonomitë e së gjithë Lindjes së Mesme kanë luftuar kundër peshës së krizës së çmimit të naftës, me Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë rënë 4 pozicione në vendin e 9.

Klasifikimet e IMD, të nisura që prej vitit 1989, vlerësojnë 63 ekonomi duke u mbështetur mbi qindra tregues; një kombinim i të dhënave “hard” si punësimi, kostoja e jetës dhe shpenzimet e qeverisë me të dhënat “soft” që vijnë nga sondazhe të kryera te drejtuesit e sipërmarrjeve ndërkombëtare mbi qëndrueshmërinë politike dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Pesë vendet e para, Singapori, Danimarka, Zvicra, Holanda dhe Hong-Kongu, tregojnë forcën e ekonomive të vogla përballë rreziqeve globale, thuhet në raportin e IMD.

/Albinfo.ch/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *