Shënohet dita ndërkombëtare e mjedisit jetësor

Nën moton “Është koha për natyrën” (#ForNature) sot shënohet Dita botërore e mjedisit jetësor 5 qershor e cila është ditë e rëndësishme për ngritjen e vetëdijes për rruajtjen e mjedisit jetësor dhe shënohet nga viti 1974.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin Jetësor (UNEP) si dhe shumë organizata joqeveritare, komunitete dhe qeveri në më shumë se 150 vende të botës po festojnë këtë ditë me ngjarje të ndryshme online, ndërsa nikoqir i ngjarjes zyrtare këtë vit është Kolumbia në bashkëpunim me Gjermaninë. Këtë vit, përqendrimi është në biodiversitetin, i cili kërkon kujdes urgjent, por është gjithashtu jetik për mbijetesën njerëzore.

Këtyre porosive iu bashkangjit edhe Shoqata Ekologjike Ekonomike e Maqedonisë, MED dhe përkujton që biodiversiteti në disa pjesë të vendit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ruajtjen jo vetëm për sa i përket pasurisë kombëtare, por edhe për shkak të rëndësisë së saj evropiane dhe botërore.

Rrjeti i zonave të mbrojtura përfshin 86 zona, duke mbuluar një sipërfaqe prej 230,083 hektarësh ose rreth 8.9 për qind të territorit të Republikës së Maqedonisë të Veriut. Sipas Strategjisë së Biodiversitetit 2018-2023, vendi duhet të rrisë sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 15 për qind dhe të sigurojë lidhjen e tyre funksionale si një rrjet ekologjik dhe të krijojë menaxhim efektiv të zonave të mbrojtura në bashkëpunim me komunitetet lokale.

Mënyra e jetesës dhe teknologjia kanë pasoja serioze ndaj mjedisit jetësor, kështu që duhet të marrim në konsideratë sesi mund të kursejmë mjedisin dhe të zvogëlojmë mbeturinat. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, bota humb 27,000 specie në vit, dhe nëse ky trend vazhdon, në 30 vitet e ardhshme, 25 përqind e organizmave të gjallë do të humbnin, ose një e katërta e të gjitha gjallesave në Tokë.

/TS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *