Komiteti i Helsinkit kërkon dënim publik për gjuhën e urrejtjes te sheshi “Skenderbeu”

Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut kumtoi se me shqetësim konstaton se festimi shtetëror i përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vend se të ketë karakter bashkues, ishte edhe një shkas për përhapje të urrejtjes dhe mosdurimit ndëretnik. Konsiderojnë se dënimi publik është më së paku që mund ta bëjnë strukturat politike dhe i bëjnë thirrje Qeverisë t’i dënojë shprehjet e urrejtjes dhe thelbësisht t’i përkushtohet kohezionit social në shtet.

“Paralajmërimi i moderatores në gjuhën maqedonase, e cila u fishkëllua nga ana e të pranishmëve, drejtpërdrejtë bie ndesh me idenë për një festival multikulturor dhe shkakton urrejtje mes bashkësive etnike në shtet. Aq ml tepër shqetëson mungesa e dënimit nga ana e Qeverisë, që plotësisht ndikon në polarizimin e shoqërisë”, ceket në kumtesën e Komitetit të Helsinkit.

Theksojnë se në vazhdimësi e ndjekin dhe reagojnë ndaj fjalorit urrejtës, që është një ndër faktorët kryesorë që çojnë drejt krimeve nga urrejtja.

“Me atë rast, përkatësia etnike me vite prapa dominon si bazë më e shpeshtë për fjalorin urrejtës dhe veprat nga urrejtja, ndërsa kryesit dhe viktimat më të shumtë janë të rinjtë. Mu për këtë arsye konsiderojmë se dënimi publik është më së paku që mund ta bëjnë strukturat politike, posaçërisht në situatë kur mekanizmat e tjerë për përballje me këtë fenomen janë praktikisht jofunksional. Pa një dënim të qartë të personave të cilët i ndezin marrëdhëniet ndëretnike, pa dyshim që bëhet e pakuptimtë edhe festa për Marrëveshjen e Ohrit, në frymën e së cilës është përmbajtur bashkëjetesa, paqja dhe inkluziviteti në shoqëri”, qëndron në kumtesën e Komitetit të Helsinkit.

Nga Komiteti i Helsinkit theksojnë se politikanët nuk guxojnë ta normalizojnë fjalorin urrejtës, sepse në atë mënyrë edhe vetë kontribuojnë për nxitjen e atmosferës së ndarjeve, tensioneve dhe destabilizimit.

/TS

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *