Ministri Arbër Ademi në BFI: Medreseja Isa Beu drejt institucializimit shtetëror

Vizita e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Arbër Ademi në BFI

Medreseja Isa Beu drejt institucializimit shtetëror

Të premten, me datë 12.06.2020, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Muftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, Muftiu i Tetovës prof. Dr. Qani ef. Nesimi, Muftiu i Kumanovës H. Abedin ef. Imeri dhe Shefi i Kabinetit Dr. Sevlver ef. Xhemaili, e priti në takim punë Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Arber Ademin. Gjatë takimit Ministri Ademi u njoftua me ndryshimet e ndodhura së fundmi në BFI dhe e uroi u.d. Reisul Ulemanë për detyrën e re, e cila njëherit është e një rëndësie të madhe si për Institucionin Fetar, ashtu edhe për besimtarët e vendit dhe diasporë.

Nga ana tjetër Kryetari i BFI, H.Hfz. Shaqir ef. Fetai e falënderoi Ministrin Ademi për punën e palodhshme në asistencën me Fakultetin e Shkencave Islame si dhe i shprehu mirënjohje për angazhimin dhe përpjekjet e tij maksimale në akreditimin e Medresesë Isa Beu drejt institucionalizimit shtetëror të kësaj shkolle.

Me rastin e takimit, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dha edhe një deklaratë për mediumet, ku shtoi se: “Sot kishim kënaqësinë dhe nderin që në vizitë të BFI e RMV të kemi Ministrin e Arsimit z. Arbër Ademi. Vizita e Ministrit ishte me rastin e zhvillimeve të reja, pra shprehu urimet e sinqerta të tij, duke na dëshiruar suksese të reja në rrjedhat e organizimit fetar islam.

Gjatë këtij takimi ne shfrytëzuam rastin që të bisedojmë edhe për shumë çështje që kanë të bëjnë në sferën e arsimit, posaçërisht për Medresenë Isa Beu në Shkup dhe degët e saj. Në i shprehëm mirënjohje të veçantë për angazhimin e tij, për akreditimin e kësaj shkolle fetare islame. Ja që akoma nuk ka arritur të finalizohet kjo çështje. Ministri na premtoi se do të vazhdojnë përpjekjet e tij maksimale për ta finalizuar çështjen e akreditimit të shkollës së mesme islame Medreseja Isa Beu. Mbetemi në shpresë se do të gjendet një rrugë drejt finalizimit të kësaj çështje. Ne gjithashtu i shprehëm mirënjohjet e BFI për kontributin e madh që ka dhënë në participimin financiar nga Qeveria për fakultetin e Shkencave Islame si dhe gjithashtu ne i shprehëm kënaqësinë e madhe për këtë akt jashtëzakonisht të rëndësishëm për lehtësimin financiar të BFI dhe të Fakultetit të Shkencave Islame. Për fund e falënderojmë Ministrin për vizitën dhe do të jemi të gatshëm që edhe më tej të bashkëpunojmë. Do të jemi në shërbim të aktiviteteve të ndryshme që kanë të bëjnë me sferën fetaro arsimore dhe më gjerë”.

Nga ana tjetër, Ministri Ademi dha vlerësimin e tij në lidhje me këtë takim: “Sot kishim nderin dhe kënaqësinë që të qëndrojmë për një vizitë në Bashkësinë Fetare Islame me ç’rast shprehëm urimet tona më të sinqerta për kreun e ri të BFI për Reisin e ri, z. Shaqir ef. Fetai, me ç’rast shprehëm edhe qëndrimin tonë për mbështetje të vazhdueshme për BFI veçanërisht për institucionet arsimore të Bashkësisë Fetare Islame, ku paraqitet BFI si themeluese e të njëjtave.

Pra siç e dini dy vitet e fundit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dyfishuar buxhetin e mbështetjes financiare për FSHI, gjithashtu një çështje e cila nuk është rumbullakësuar, fatkeqësisht edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme dhe përkundër përfundimit të gjitha detyrimeve të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës është edhe çështja e institucionalizimit të Medresesë Isa Beu, me çka si Ministër kam propozuar ligj special për institucionalizimin e shkollave fetare në vend, me ç’rast do të fitonte statusin e merituar në sistemin nacional arsimor edhe Medreseja e Isa Beut, e me ç’rast nxënësve të cilët do të kryenin arsimimin e mesëm në këtë institucion arsimor do tu mundësohej vazhdimi i ndërtimit arsimor edhe në institucionet e larta arsimore, por njëkohësisht do të mundësohej edhe një stabilitet në aspekt të funksionimit të Medresesë dhe tejkalim më i lehtë i sfidave, qofshin të natyrës financiare apo qofshin edhe të ndonjë natyre tjetër, për arsye se do të kishin mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe vetë Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, përpjekjet tona nuk mbarojnë këtu, ato do të vazhdojnë në drejtim të realizimit të këtij qëllimi dhe me ç’rast Ministria e Arsimit dhe Shkencës por edhe Qeveria e vendit do të mbetet e hapur për çfarë do lloj bashkëpunimi tjetër, e bashkërendimit të aktiviteteve e veprimeve tona, për tejkalim sfidave eventuale me të cilat mund të përballemi.”

/TS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *