51 muaj burg dhe dëbim për 10 vjet nga Zvicra për Reperin Besko
Besijan Kacorraj (34) që njihet më mirë me emrin e tij artistik “Besko” është dënuar sot nga një gjykatë zvicerane në Uster ZH me 51 muaj heqje lirie dhe dëbim për 10 vjet nga Zvicra.
Me një dënim të këtillë, një dëbim është i detyrueshëm, kishte deklaruar kryetari i gjykatës.
“Jeni rritur në Zvicër, por më pas u bëtë një kriminel. ”
”Ndarja nga familja e tij në Zvicër nuk është e mjaftueshme që të vlerësohet rast i rëndë. “Përveç djalit tuaj, ju nuk keni pothuajse asnjë kontakt me familjen tuaj”, ka arsyetuar vendimin gjykata zvicerane.
Besko është fajtor për grabitje, shkelje të qëllimshme të ligjit të armëve, keqpërdorim të kartave të identitetit si dhe shkelje të Ligjit për të huajt dhe integrimin, hyrje të paligjshme, qëndrim të paligjshëm, punësim përfitues pa leje.
Në vitin 2019, Besko kishte sulmuar një zyrë postare në Dübendorf të Cyrihut, për çfarë ka shkruar edhe albinfo.ch. Kjo grabitje ka ndodhur pikërisht gjatë kohës kur ai ishte në një pushim të lejuar në mënyrë të jashtëzakonshme, për të vizituar të birin në Zvicër, derisa ai ishte i dëbuar në Kosovë.
Nga ajo kohë, reperi me rrënjë nga Kosova ndodhet prapa grilave të burgut duke shpresuar se do mbetet këtu, por ndodhi e kundërta pas vuajtjes së dënimit, Besko duhet të braktisë sërish Zvicrën.
Ai më herët ishte dënuar me pesë vjet burg për një numër deliktesh si detyrim, vjedhje dhe grabitje me armë.
Reperi nga Cyrihu, Besian Kacorraj ishte dëbuar në vitin 2016 në vendin e prejardhjes, në Kosovë, por ai ishte rikthyer ilegalisht në Zvicër.
/albinfo.ch