Çka nëse nuk ka një fitues të qartë?!

Keystone EPA/ERIK S. LESSER

Kolegji elektoral mblidhet më 14 dhjetor për votimin që përcakton zyrtarisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Kandidati fitues duhet të marrë 270, nga një total prej 538 votash të Kolegjit Elektoral.

Përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane, shkencëtarët politikë dhe ekspertët e ligjit zgjedhor paraqitën një varietet skenarësh me të cilët vendi mund të përballej në Ditën e Zgjedhjeve dhe në javët që pasojnë. Mundësitë variojnë nga një fitore e qartë prej Presidentit Donald Trump, ose ish-Nënpresidentit Joe Biden, deri tek një betejë e papërfunduar ligjore, që e shtrin pasigurinë e rezultatit deri në janar, kur Kongresi i ri duhet të çertifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Ekspertët thonë se përcaktimi i fituesit të këtyre zgjedhjeve është veçanërisht i vështirë për shkak të një niveli të paprecedent të votimit nëpërmjet postës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Larmia e ligjeve të shteteve amerikane për mënyrën se si dhe kur duhen numëruar votat me postë, do të thotë se një numërim përfundimtar mund të dojë ditë ose javë që të përmbyllet.

Në atë që e quajti “skenarin e makthit”, studiuesi politik William Galstoni Institutit Brookings, një organizëm jofitimprurës, shkruan se një rezultat shumë i afërt, që do vinte në dyshim fituesin “do ta hidhte vendin në kaos, nën rrethana shumë të dëmshme”.

Presidenti Trump ka ngritur vazhdimisht mundësinë se ushtrimi masiv i votimit nëpërmjet postës do të rezultojë në një rezultat të manipuluar zgjedhor dhe ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të angazhohet paraprakisht për një transferim paqësor të pushtetit në rast humbjeje. Zoti Biden ka thënë se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, me kushtin që të ketë një numërim të ndershëm të votave.

Për shkak të destabilizimit të mundshëm që do të krijonin zgjedhjet e kontestuara, skenari më i mirë do të kishte qenë një rezultat i sigurtë ose pothuajse i sigurtë në natën e zgjedhjeve. Por, natyra e sistemit amerikan për zgjedhjen e një presidenti lë hapur mundësitë për përfundime të shumta dhe të ndryshme, raporton Zëri i Amerikës.

Një proces kompleks

Presidenca amerikane nuk fitohet bazuar tek vota popullore. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen nëpërmjet një sistemi kompleks me dy faza, në të cilin votat e dhëna në nivelin e shtetit pasohen nga një votim i dytë në një trupë të njohur si Kolegji Elektoral. Shteteve individuale u caktohet një numër “elektorësh”, bazuar në numrin e popullsisë. Një listë elektorësh që mbështesin fituesin e votës popullore në secilin shtet çertifikohet sapo të jenë numëruar votat. (Në dy shtete amerikane, Maine dhe Nebraska, votat elektorale ndahen në bazë të rezultatit të secilit kandidat.)

Kolegji elektoral mblidhet më 14 dhjetor për votimin që përcakton zyrtarisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Kandidati fitues duhet të marrë 270, nga një total prej 538 votash të Kolegjit Elektoral. Votat numërohen zyrtarisht gjatë një sesioni të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit më 6 janar.

Ndërsa shumë shteteve mund t’u duhen ditë ose javë për të numëruar të gjitha votat e tyre, një numër shtetesh të rëndësishme rezultati i të cilave mund të jetë shumë i afërt, mund të shkaktojnë tension.

Beteja të mundshme ligjore

“Nëse rezultati është i paqartë, le të themi në ditën e nesërme, pasi një numër domethënës shtetesh nuk mund të përfundojnë numërimin për shkak të volumit të madh të votave me postë, atëherë do të prisja mosmarrëveshje të mëdha në ato shtete, për vlefshmërinë e çdo vote të dërguar më postë”, thotë Richard H. Pildes, ekspert i ligjit zgjedhor dhe profesor i ligjit kushtetues në Universitetin e Nju Jorkut.

Ka disa etapa kyçe që nga Dita e Zgjedhjeve dhe deri më 6 janar, ditën kur Kongresi i numëron votat e elektorëve. E para është data 8 dhjetor, e ashtuquajtura “porti i sigurtë”, afati përfundimtar kur shtetet duhet të kenë dërguar listat e çertifikuara të elektorëve tek Arkivisti i Shteteve të Bashkuara (drejtori i Arkivave Kombëtare).

Në rastin kur një shtet nuk ka përfunduar numërimin e votave deri në atë datë, qoftë për shkak të vazhdimit të numërimit apo të proceseve ligjore, ekziston një parashikim në ligjin federal që i lejon legjislaturës së atij shteti që të mblidhet dhe të caktojë një listë elektorësh, pa ditur ende rezultatin përfundimtar të numërimit të votave.

Kjo krijon mundësinë që një legjislaturë partiake do të mund të emëronte një listë elektorësh që mbështesin kandidatin që rrjedhimisht humb votën popullore.

Në shtetet ku guvernatori dhe legjislatura janë të ndara mes partive, ekziston edhe një tjetër faktor komplikues. Për shkak se është guvernatori ai që çertifikon listën e elektorëve të përzgjedhur, është e mundshme që një shtet të paraqesë dy lista të ndryshme elektorësh që pretendojnë se janë legjitime.

/Albinfo.ch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *