“Facebook” tregon pse fshiu qindra llogari në Rusi dhe Iran

“Facebook” ka njoftuar se ka fshirë qindra llogari pasi ka zbuluar se ato u përkisnin rrjeteve që bëjnë fushata të ndryshme me ndikim.

Sipas kompanisë, më shumë se gjysma e tyre ishin me qendër në Rusi, Iran dhe Gjeorgji .

“Facebook” njoftoi se llogaritë janë fshirë në prill, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të pastruar platformën e tij nga informacionet mashtruese dhe llogaritë e rreme, që krijohen për të shkaktuar “përçarje në shoqëri”.

Sipas rrjetit, profilet në Rusi dhe Iran e kanë përqendruar përmbajtjen e tyre në arenën ndërkombëtare, kurse ato në Gjeorgji, dy në SHBA, një në Mauritani dhe një në Mianmar kanë operuar me audiencat e brendshme.

“E dimë se njerëzit që përpiqen t’i mashtrojnë të tjerët, i përdorin krizat për t’i çuar përpara qëllimet e tyre. Dhe, pandemia e koronavirusit nuk është ndryshe”, tha përmes një deklarate “Facebook”.

Të gjitha rrjetet janë krijuar para pandemisë së koronavirusit, por “Facebook” tha se disa prej tyre i kanë përdorur pastaj postimet e lidhura me koronavirus, për të ndërtuar audiencat e tyre.

(M.K/Epoka e re)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *