SHBA E BE MIRËPRESIN ANGAZHIMIN E KOSOVËS NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur dhe mbështetur angazhimin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, transmeton Insajderi.com.

Kjo u bë e ditur në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së dhe Departamentit Amerikan të Shtetit pas takimeve të fundit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Në këtë deklaratë është quajtur e papranueshme dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë apo ndonjë autoriteti tjetër – gjë që kishte ndodhur disa ditë më parë në veri të vendit.

Më tej bëhet e ditur se ata janë pajtuar për të forcuar angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të progresit të rajonit në rrugëtimin evropian.

“Ne theksojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit. Anëtarësimi në BE, prioritet i deklaruar nga i gjithë Ballkani Perëndimor, e ndihmon konsolidimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtat themelore dhe avancimin e sundimit të ligjit”, thuhet në këtë deklaratë të përbashkët.

Të dy në deklaratë theksuan se integrimi i afërt do të forcojë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve në rajon.

“Ky rajon i takon Bashkimit Evropian. Integrimi më i afërt do të forcojë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve në rajon. Në këtë kontekst, ne nënvizojmë se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisin pa vonesa”.

Sërish janë përsëritur thirrjet për dialog midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e quajnë mekanizëm kyç për të adresuar normalizimin e raporteve midis dy vendeve.

“Nënvizojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është një mekanizëm kyç për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Pas javëve të tensionuara të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një ulje të qëndrueshme të tensioneve dhe të evitojnë veprimet që kërcënojnë stabilitetin”.

“Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër është e papranueshme”. 

/Insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *