LSDM thotë se e ka shumicën, por me kë?!

Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit pohon se e ka siguruar shumicën e nevojshme për formim të qeverisë.

“Kjo do të konfirmohet ditëve në vijim kur do të merret mandati nga Presidenti Stevo Pendarovski dhe kur do të vijë akti i votimit në Parlament” thonë nga Lidhja Socialdemokrate.

Por me kë e ka arritur LSDM shumicën prej 61 deputetëve, me BDI-në apo koalicionin Aleanca për Shqiptarët-Alternativa?

Burimet e brendshme të TV21 nga LSDM thonë se shumicën e kanë edhe pa Bashkimin Demokratik për Integrim, megjithatë, siç sqaron i njëjti burim, Zaev dëshiron që shumica të jetë më e fortë, duke e pasur brenda edhe BDI-në, por pa kushtin për Kryeministër shqiptar!

Kreu i integristëve Ali Ahmeti nuk tërhiqet nga kërkesa për kryeministër, tregon burimi. Nëse kryeministri shqiptar nuk bëhet dhe palët nuk lëshojnë pe, BDI kalon në opozitë, mësohet të kenë thënë integristët.

Krejt këto lidhen edhe me lajmet e përhapura dje nëpër mediat online ku shkruhej se tashmë është arritur marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për bashkëqeverisje dhe se Hristijan Mickoski ka pranuar kërkesën e Ahmetit për kryeministër shqiptar, me rotacion 2 me 2.

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani mbrëmë i tha TV21 se nuk kanë asnjëlloj marrëveshje me asnjërën parti, ndërsa sot sërish pohon se nuk ka asgjë të re për koaliconet. Nuk komenton as në pyetjen nëse BDI është pjesë e shumicës për të cilën flet LSDM-ja.

“Nuk ka asgjë konkrete. Po bëjmë përpjekje edhe gjatë ditës së sotme për të formuar institucionet sa më shpejtë”, u shpreh zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Megjithatë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, as nuk i konfirmon e as nuk i hedhë poshtë informacionet se DPMNE ka përafruar qëndrimet me BDI-në për koalicionim.

“VMRO-DPMNE punon për formimin e shumicës parlamentare. Informacionet nga burime të pakonfirmuara dhe të pa identifikuara, as nuk i konfirmoj e as nuk i demantojmë”, potencoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

LSDM i ka 46 deputetë, bashkë me 15 të BDI-së dhe 1 të PDSH-së do arrihej shumica prej 62 deputetësh.

Nëse LSDM koalicionon me ASH-Alternativa me 12 deputetë, plus 1 i PDSH-së, atëherë do të arrihej numri prej 59 deputetësh, i pamjaftueshëm për formim të shumicës. Kjo hap sërish dilemat se mos Zaev ka arritur të bindë, të paktën 3 deputetë, qoftë të VMRO-DPMNE-së ose të BDI-së për ta mbështetur me votë qeverinë “Zaev 2”.

Në skenarin e mundshëm që qeveria të formohet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, numrat e të dyjave arrijnë 59 deputetë. Duke qenë se nevojiten edhe 2 për të arritur 61-shin, atëherë këtu mund të llogaritet mbështetja e dy deputetë të partisë “E majta”.

/TS.MK

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *