Më 19 nëntor, mbrëmje e madhe e boksierëve shqiptarë në Austri
Në këtë mbrëmje do të zhvillohen 14 ndeshje boksi, ku do të paraqiten gjithsej nëntë boksierë shqiptarë
![](http://www.europasot.com/wp-content/uploads/2022/11/a4tvw-1024x1024.jpg)
Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë para mbrëmjes së madhe të boksierëve shqiptarë, e cila do të zhvillohet të shtunën në Maria Enzendorf në Austrinë e Ulët, rreth 25 kilometra larg Vjenës. Në këtë mbrëmje do të zhvillohen 14 ndeshje boksi, ku do të paraqiten gjithsej nëntë boksierë shqiptarë. Dy duelet kryesore do të jenë ajo e Dielli Vranovcit kundër Miroslav Serban për titullin “Internationale të Austrisë” si dhe qershia mbi tortë do të jetë ndeshja e fundit e kësaj mbrëmje mes boksierit kosovar, Bernardin Jakaj, kundër Nasser Bukenya për titullin IBO Continental, në peshën e rëndë.
Ky event organizohet nga kompania promovuese „Simba Sports“, e cila udhëhiqet nga ish-boksieri i njohur kosovar që jeton në Austri, Shpëtim Shala. Ai për albinfo.at theksoi:
“Përgatitjet për mbrëmjen e 19 nëntorit janë duke vijuar ashtu siç i kishim planifikuar. Në aspektin sportiv, djemtë kanë dhënë maksimumin gjatë stërvitjeve dhe janë në formë të mirë. Po ashtu, edhe në aspektin organizativ jemi duke u munduar që çdo gjë të jetë në nivelin profesional”, ka thënë ai.
Interesim i madh i publikut për të përcjellë nga afër këtë mbrëmje boksi
Kjo natë e boksit shqiptar ka zgjuar edhe interesimin e publikut dhe të shumë mediave, të cilat janë akredituar për të qenë pjesë e këtij spektakli, në mesin e tyre edhe albinfo.at, ndërkohë meçet do të transmetohen drejtpërdrejt në ORF Sport Plus për në Austri dhe Art Sport 1 për në Kosovë. “Interesimi i publikut është shumë i madh dhe kjo na gëzon shumë”, thekson Shpëtim Shala, i cili kërkon që publiku shqiptar të jetë prezent në numër të madh për të përcjellë këtë mbrëmje gala. “Mbështetja e tifozëve për boksierët tanë sigurisht që është një motiv shtesë krahas meçeve të vështira që ata do i kanë, dhe e bën mbrëmjen edhe më madhështore”, pohon ai.
Në rast të fitoreve, thotë ish-boksieri Shala, boksierët shqiptarë do të ngritën më lart në renditjen evropiane, sidomos Bernardin Jakaj dhe Dielli Vranovci, pa i përjashtuar edhe djelmoshat e tjerë.
/Albinfo.ch