Në vend 201 të sëmurë nga KOVID-19, javën e ardhshme arrijnë respiratorë, maska mbrojtëse dhe teste

Gjithsej 201 persona në vend janë sëmurë nga koronavirusi. Në Klinikën për sëmundje infektive, dje është liruar një pacient nga Dibra, i cili është dërguar në shërim shtëpiak në gjendje të përgjithshme të mirë me dy teste të njëpasnjëshme negative, ndërsa pritet të lëshohet në mjekim shtëpiak edhe një paciente nga Shkupi, dy testet e njëpasnjëshme e së cilës rezultuan negative. Me këtë deri tani tre persona janë shëruar, ndërsa tre kanë vdekur.

Sipas vendit të jetesës, deri tani raste të KOVID-19 janë regjistruar në Shkup (123), Dibër (43) prej të cilëve dy të vdekur, Kumanovë (15) prej të cilëve një i vdekur, Shtip (tetë), Veles (tre), Ohër (tre), Kavadar (dy), Prilep (dy), Gostivar (një) dhe Tetovë (një).

Një burrë nga Tetova i moshës 69-vjeçare është konfirmuar pozitiv në testin e koronavirusit, deklaroi sot mjeku Shaban Memeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik gjatë vizitës në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë. Me këtë Tetova e ka edhe rastin e parë të sëmurë me Kovid 19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dje paralajmëroi se nga java e ardhshme do të ketë testime mobile, ndërsa Kumanova do të jetë një nga qytetet e para ku do të rritet numri i testimeve përmes rrugës mobile.

Në Veles ku veçmë janë konfirmuar tre raste, ministri paralajmëroi përforcim të shërbimit epidemiologjik me një ose dy epidemiologë, të cilët do të dërgohen gjatë ditës së sotme, ndërsa javën e ardhshme edhe ekip mobil.

Gjatë javës së ardhshme si donacion duhet të arrijnë edhe 500.000 maska dhe 20.000 teste, reagjense për testim të koronavirusit. Kemi marrë përgjigje prej më shumë donatorësh, përmes Qeverisë norvegjeze për makina respiratore, të cilat i presim në fillim të prillit, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme do të marrim përgjigje definitive edhe nga Ambasada e Kinës, nga e cila kërkuam donacion para disa javëve.

Tani për tani parashikimet e organeve kompetente mbeten se kulmi i virusit do të jetë nga fundi i prillit dhe se numri i të sëmurëve do të arrije deri 2.000 persona. Megjithatë ministri paralajmëroi analizë të hollësishme për pritjet dhe për intervalin kohor kur do të mund të pritet. Analiza, siç tha, do të ishte gati gjatë fundjavës ose në fillim të javës së ardhshme.

Sipas ministrit, gjendja e jashtëzakonshme dhe masat që janë vendosur janë mekanizëm i mjaftueshëm që të arrihet qëllimi i fundit, e ky është kufizimi i lëvizjes. Ai theksoi se pritet të japë rezultat rritja e konsiderueshme e orëve të kufizimit të lëvizjes, respektivisht ora policore gjatë fundjavës.

Që të pengohet përhapja e infektimit gjatë fundjavës do të vlejnë masa shtesë restriktive. Të shtunën dhe të dielën, për të gjithë qytetarët do të ndalohet lëvizja prej orës 16 deri ora 5 mëngjesin e ardhshëm.

Mbeten të vlejnë edhe ndalesat e mëparshme – ora policore prej 21 deri 5, dhe ndalesa për dalje jashtë për personat më të moshuar se 67 vjeç (prej orës 11 deri ora 5) dhe për më të rinjë se 18 vjeçar (prej orës 21 deri ora 12 ditën e ardhshme).

/TS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *